E drejta në shfrytëzimin e pushimit të lehonisë është e rregulluar me Ligjin Nr. 03/L-212 e punës, ndërsa procedura e realizimit të së drejtës në pushim të lehonisë rregullohet me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2018 për rregullimin e procedurave administrative të kompensimit për pushimin e lehonisë të paguar nga qeveria.

Pushimi i lehonisë femrës së punësuar i takon në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajve:

  • Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë.
  • Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë, dhe
  • Pushimi i lehonisë mund të zgjatet edhe për tre (3) muaj të tjera pa pagesë.

Pushimi i lehonisë prej gjashtë (6) muajsh është obligativë, ndërsa në rast se nuk dëshironi ta shfrytëzoni pjesën e mbetur të pushimit, me njoftim të punëdhënësit jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë para përfundimit të pushimit, mund të  kërkoni kthimin në punë.

Me prezantimin e certifikatës mjekësore, pushimi i lehonisë mund të fillohet deri në dyzetepesë (45) ditë para datës kur pritet të lindë.

Të njëjtat të drejta mund t’i realizojë edhe i ati i fëmijës me rastin e sëmundjes së nënës, braktisjes së fëmijës nga nëna, apo vdekjes së nënës. Babai i fëmijës ka të drejtën për dy (2) ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes ose adoptimit të fëmijës, si dhe dy (2) javë pushim të papaguar pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të fëmijës, në periudhën derisa fëmija ta ketë arritur moshën tri (3) vjeç.

Në rastet kur gjatë shfrytëzimit të lehonisë të paguar nga Qeveria e Kosovës, gruas apo burrit të punësuar i ndërpritet kontrata e punës, kompensimi i pushimit të lehonisë dhe pushimit prindëror i paguhet deri në përfundim të këtij tremujori.

Në rastet e humbjes së fëmijës, për sa kohë që lehonës i nevojitet të këndellet nga lindja dhe nga gjendja psikike e shkaktuar nga humbja e fëmijës, asaj i lejohet pushimi jo më pak se dyzetepesë (45) ditë, sipas udhëzimit mjekësor.

Në rastet kur fëmija i cili domosdo ka nevojë për përkujdesje të veçantë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, respektivisht fëmija i cili është me aftësi të kufizuara të përhershme, njëri prej prindërve me skadimin e pushimit të lehonisë ka të drejtë, që të punojë me gjysmë orari të punës derisa fëmija t’i mbushë dy (2) vjeç.

Afati për aplikim për tremujorin e pushimit të lehonisë që paguhet nga Qeveria e Kosovës, është tre (3) muaj nga dita e përfundimit të pushimit prej gjashtë (6) muajsh. Dështimi për aplikim dërgon në humbjen e të drejtës për kompensim, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme kur për arsye shëndetësore të lehonës apo fëmijës ka qenë e pamundur aplikimi brenda tre (3) muajve, ku e drejta për aplikim zgjatet edhe për tridhjetë (30) ditë, duke dëshmuar vonesën për aplikim.

Për kompensimin e pushimit të lehonisë që paguhet nga qeveria, e punësuara duhet të plotësojë formularin e gatshëm dhe ti bashkëngjisë: vendimin e lëshuar nga punëdhënësi për shfrytëzimin e pushimit të lehonisë, certifikatën e lindjes së fëmijës, fotokopjen e letërnjoftimit, pasqyrën e llogarisë nga Fondi i Kursimeve Pensionale dhe certifikatën e biznesit për femrat e vet punësuara. Kërkesa për kompensim dorëzohet në Zyrën e Punësimit, ku zyrtari përgjegjës i lëshon parashtruesit të kërkesës një dëshmi për pranimin e kërkesës, ndërsa brenda pesë (5) ditësh dorëzohet për shqyrtim dhe vendosje. Brenda tridhjetë (30) ditësh zyrtari përgjegjës vendosë në lidhje me kërkesën e lehonës.

Nëse jeni të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë, në afatin prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të vendimit, keni të drejtë ankese në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës. Ankesa mund të dorëzohet përmes Zyrës së Punësimit ku keni aplikuar apo përmes postës direkt në adresën e Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, ankesa shqyrtohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh, nga dita e paraqitjes së ankesës. Kundër vendimit të shkallës së dytë, pala e pakënaqur, në afatin prej tridhjetë (30) ditësh, mund të iniciojë padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Çështje Administrative.