Nëse për shkak të paaftësisë shëndetësore keni humbur aftësinë për të punuar, ju keni të drejtën në pension të aftësisë së kufizuar, të garantuar me Ligjin nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti

Kërkesa për pension të paaftësisë së përhershme, duhet të parashtrohet në mënyrë fizike pran Zyrës së Pensioneve në Komunën tuaj. Në formularin e gatshëm për aplikim që ju ofrohet plotësoni këto të dhëna: emri i kërkuesit, arsyet e aplikimit për pension invalidor, datën e dorëzimit dhe të nënshkruhet në fund.

Në pamundësi të aplikimit nga pala, mund të autorizohet (autorizim i noterizuar) një person tjetër të dorëzoj kërkesën për të, apo që aplikimin ta dërgoj përmes postës së autorizuar. Shërbimi është pa pagesë

Parakusht kryesor për këtë pension është të jeni shtetas i Republikës së Kosovës, dhe të jeni të moshës 18 deri 65 vjet. Mirëpo, ju duhet të ofroni edhe këto dokumente për këtë pension:

  • të gjitha dëshmitë mjekësore, certifikatë apo raport mjekësor lëshuar nga institucionet shëndetësore të nivelit sekondar apo terciar, me vlerësim të specifikuar të aftësisë së kufizuar,
  • kopjen e dokumentit te identifikimit,
  • ekstraktin nga zyrat e gjendjes civile se jeni banorë i përhershëm në adresën e caktuar,
  • ekstraktin e lindjes,
  • ndonjë dëshmi të faturave të cilat janë në emër të juajin: faturën e tatimit në pronë, energjisë elektrike, ujit apo mbeturinave, dhe
  • dëshmi tjera eventuale të kërkuara nga zyrtari përgjegjës i zyrës pensionale.

Pasiqë dokumentacioni të jetë përfundimtarë kërkesa për pension të paaftësisë së përhershme shqyrtohet dhe vlerësohet nga Komisionet Mjekësore në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e parashtrimit të kërkesës, për periudhën prej një (1), tre (3) apo pesë (5) vitesh.

Pensionet do të fillojnë të paguhen nga dita e parashtrimit të kërkesës, në konton bankare të pensionistit, të verifikuar nga Ministria gjatë shqyrtimit të kërkesës për pension.

Nëse jeni të pakënaqur me vendimin, ju keni të drejtë ankese tek Departamenti i Pensioneve Invalidor në Ministri, përmes zyrës së pensioneve në Komunën tuaj. Ankesa bëhet në formë të shkruar, në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të vendimit. Brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e dorëzimit të ankesës, do të njoftoheni përmes zyrës së pensioneve me vendimin refuzues apo pranues të ankesës si të bazuar. Pala e pakënaqur me  këtë vendimin, me padi, në afat prej tridhjetë (30) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit me shkrim, mund të hap konflikt administrativ pranë Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sqarim shtesë: Në rast të refuzimit me vendim përfundimtar, mund të ri-aplikoni vetëm pasi të kenë kaluar 2 vite nga ajo datë, duke dorëzuar vendimin refuzues, si dhe raportet e reja mjekësore. Përjashtimisht, ri-aplikimi mund të bëhet edhe pas 6 muajsh në disa raste të veçanta, kur sëmundja ka një zhvillim më të shpejtë dhe ndikon rëndë në shëndet duke shkaktuar paaftësinë për punë.