Strehimi rezidencial:

Strehimi rezidencial është formë e kujdesit për fëmijët pa përkujdes prindëror që përfshin shërbimet e specializuara, të ofruar në çfarëdo lloj mjedisi/ambienti grupor. Kujdesi rezidencial konsiderohet si formë e kujdesit formal, pavarësisht a ofrohet nga institucionet publike, publiko-private apo nga sektori i shoqërisë civile.

Rregullimi ligjor i kujdesit rezidencial në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për shërbime sociale dhe familjare[1], i cili përcakton dhe rregullon ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë, familjet dhe fëmijët pa përkujdesje.

Fëmijët dhe të rinjtë, që nuk kanë një vend të sigurt apo që nuk mund të jetojnë në ambientet familjare ose në ambientet e tjera të kujdesit alternativ. Ky lloj strehimi është i përkohshëm deri në ribashkim me familje apo derisa organi i kujdestarisë të vendosë fëmijën për një formë tjetër të kujdesit. Strehimi rezidencial paraqesin ambiente për kujdes emergjent, dhe të gjitha ambientet e kujdesit rezidencial afat shkurtër dhe afatgjatë, përfshirë këtu shtëpitë me bazë në komunitet.

Fëmijët vendosen në një përkujdesje të tillë vetëm pas vlerësimit dhe shterimit të gjitha alternativave apo mundësive të përkujdesjes së fëmijës dhe në interesin më të mirë për fëmijën. Fëmijëve u garantohet shkollim dhe edukim i rregullt  gjatë gjithë përkujdesjes. Organi i Kujdestarisë i QPS-ve i komunës në territorin e së cilës fëmija ka vendbanimin apo vendqëndrimin, është organi i cili vendos për vendosjen e fëmijës në strehim rezidencial duke siguruar dokumentacionin e plotë për fëmijën.

Në Kosovë ka edhe Organizata Joqeveritare që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, qoftë me iniciativën e tyre, me kontratë, ose në emër të Drejtorisë komunale apo Ministrisë. Këto OJQ licencohen dhe mbikëqyren si ofrues të shërbimeve të strehimit rezidencial, nga ana e Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve. Të gjitha institucionet apo organizatat që ofrojnë këto shërbime kanë kritere dhe dokumentacion i cili duhet të përmbushet me dokumente përcjellëse që i ka edhe Qendra për Punë Sociale e Komunës së caktuar.

Mundësia e parë për qytetarë ku mund të drejtohen t’i marrin informacion dhe mbrojtje apo përkrahje për këto shërbime dhe të gjitha mundësitë e ofrimit të mbrojtjes në formë të strehimit, drejtohuni te Qendrat për Punë Sociale – Organi i kujdestarisë.

Ju keni të drejtë ankese në rast pakënaqësie me vendimet e shkallës së parë të QPS-ve, të cilën mund ta dorëzoni në QPS brenda 30 ditësh nga dita e pakënaqësisë nëse dyshoni në diskriminim në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme, ose për arsye tjera i janë mohuar shërbimet adekuate sociale dhe familjare. Ankesa juaj do të shqyrtohet brenda 30 ditësh nga organi i shkallës së dytë dhe do te njoftoheni përmes QPS-së me vendimin e tyre. Ndaj të cilit ju mund të paraqitni padi në Departamentin Administrative, Gjykata Themelore Prishtinë.

[1] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2447