Në rastet kur për arsye të ndryshme kemi të bëjmë me fëmijët pa përkujdesje prindërore, atëherë Ligji i Familjes[1] dhe Ligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare[2] ka paraparë mundësi me të cilat fëmijëve u ofrohet kujdes dhe mbrojtje.

Institucionet e Kosovës përmes Qendrave për Punë Sociale – organit të Kujdestarisë, fëmijëve/ të miturve ju ofrojnë kujdestari dhe ju mundësohet mbrojtje e veçantë, në këto raste:

  • kur prindërit e tyre janë në pamundësi të kujdesen për fëmijët,
  • për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur të zhdukur, u është hequr kujdesi prindëror ose kanë humbur aftësinë për të vepruar,
  • apo për çdo shkak tjetër i cili me vendim të gjykatës jep arsye për vendosje në të mirë të mirëqenies së fëmijës.

Organi i Kujdestarisë mund të gjendet në kuadër të secilës Qendër për Punë Sociale në komunën tuaj, që ka qëllim mbrojtjen e fëmijëve. Andaj, fëmijët që hyjnë në këto kategori, përmes një vendimi u caktohet një kujdestar ligjor. Kujdestar mund të jetë dikush i afërm, ku aplikohet edhe strehimi te të afërmit. Mirëpo nëse fëmija braktiset dhe nuk ka të afërm atëherë aplikohet kujdestaria e drejtpërdrejt, nga punëtorët e organit të Kujdestarisë apo familjet strehuese.

Cilido prej kujdestarëve ka për obligim të luaj rolin sikurse të prindit biologjik. Në mbikëqyrje të vazhdueshme dhe periodike të organit të kujdestarisë, të cilët po ashtu duhet të konsultohen për çështje të rëndësishme lidhur me rritjen e fëmijës siç janë shkollimi, aftësimi dhe punësimi.

Kujdestaria ndaj të miturit përfundon me: 1. arritjen e moshës madhore; 2. lidhjen e martesës para mbushjes së moshës madhore(me lejim të veçantë); 3. adoptim 4. kthimin e kujdesit prindëror te prindërit e tij.

Institucion përgjegjës janë QSP përmes shërbimeve sociale familjare që përcjellin dokumentacionit e përcaktimit të kujdestarit. I tërë ky shërbim ofrohet pa pagesë për fëmijët në nevojë, e në raste të caktuara edhe u ofrohet përkrahje financiare mbarë-rritjes së fëmijës.

I mituri nëse ka pakënaqësi ndaj kujdestarit mund të ushtroj ankesë tek organi i kujdestarisë, organi e vlerëson kujdestarin dhe ndërmerr masa në ankesën që e paraqet i mituri. Poashtu, e drejta e ankesës i mituri që ka mbushur 14 vjet ka të drejtë të ushtrojë ankesë kundër vendimit të Kujdestarit, të Organit të Kujdestarisë dhe kundër organeve të tjera të cilat mohojnë lejen e nevojshme për plotfuqishmërinë e cilitdo veprim juridik nga ana e tij. Gjithashtu, në rast pakënaqësie ndaj profesionistëve në trajtimin dhe kryerjen e detyrave të tyre, ju mund të ankoheni në Ministri për shqyrtim dhe ndërmarrje të masave ndaj zyrtarit përkatës.

[1] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2410

[2] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2447