Arsimi dhe aftësimi profesional ka për qëllim të ofrojë njohuri dhe shkathtësi praktike, për realizim efikas të aktiviteteve në kuadër të një profesioni apo një grupi profesionesh, i rregulluar me Ligjin për arsimin dhe aftësimin profesional[1], Ligjit për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës[2], Ligjin për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve për të papunët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit[3], si dhe Rregulloren për masat aktive të tregut të punës. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, menaxhon Qendra të Aftësimit Profesional (QAP), të cilat janë të shpërndara në shtatë rajonet Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Doljane (pjesa veriore e Mitrovicës). Në këto qendra bëhet aftësimi dhe ri-aftësimi i personave që janë të regjistruar si punëkërkues, të papunë dhe ata që marrin shërbimet për orientim në karrierë, pranë të gjitha Zyrave të Punësimit nëpër komuna.

Aftësimi profesional përfshinë tri komponentë, dhe atë: 1.Trajnimi institucional në Qendrat e Aftësimit Profesional – që nënkupton trajnimi që ofrohet nga QAP për personat e papunë dhe punëkërkuesit për një profesion të caktuar; 2. Trajnimi i kombinuar (QAP dhe kompani) – që nënkupton bashkëpunimin me kompanitë për përfshirjen e te papunëve dhe punëkërkuesve në aftësim profesional, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore të aftësimit profesional, përmes trajnimit në partneritet me biznes; 3. Trajnime të kontraktuara nga ofruesit e jashtëm të akredituar – janë trajnime të ofruara nga ofertues të jashtëm dhe mund të ofrohen vetëm për ato profesione që nuk ofrohen nga QAP.

Trajnimi në Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP) është mjaft i avancuar dhe bazohet në aftësi individuale të kandidatit, me kohëzgjatje të trajnimit prej 3-6 muaj. Trajnimet janë 30% teori dhe 70% praktikë, kurse pas çdo moduli të zhvilluar kandidati i nënshtrohet testit, si dhe testit përfundimtarë në fund të trajnimit dhe me përfundimin e suksesshëm i njëjti merr certifikatë mbi njohuritë e fituara.

Trajnimet të cilat ofrohen nëpër QAP janë:

  1. Prishtinë: Instalimi I Ujësjellësit dhe I Ngrohjes Qendrore, Administrim biznesi/vetëpunësim, Asistent administrativ/kontabilitet, Furrtari, Pastiçeri, TIK dhe Elektronikë Industriale, Ndërtimtari, Servisim i Pajisjeve për Zyre, Auto elektrikë, Rrobaqepësi, TIK (Podujevë);
  2. Prizren: Kuzhinier, Kamerier, Auto-elektrike, Hidraulike dhe Pneumatike, Saldim (metal), Administrim biznesi/vetëpunësim, Elektronike industriale, Servisim i teknikes se bardhe, TIK, Rrobaqepësi, Përpunimi i qumështit, Floktari, Furrtari.
  3. Pejë: Asistent administrativ/kontabilitet, Administrim biznesi, Elektro-instalime, Ndërtimtari, Instalime të ujësjellësit, Agrikulturë, Kompjuter-Alfabeti i Braille për personat e verbër, Kuzhinë, Saldim, Zdrukthëtari, Ndërmarrësi/Vetëpunësim.
  4. Ferizaj: Zdrukthëtari, Instalime elektrike, Ndërtimtari, Saldim/instalim i ujësjellësit, TIK, Administrim biznesi/ Vetëpunësim, Mirëmbajtës i objekteve, Përdorim i kompjuterit (Kaçanik), Kuzhine, Hoteleri.
  5. Gjilan: Zdrukthëtari, Saldim, Përdorim kompjuteri, Administrim biznesi/Vetëpunësim, Dizajn grafik, Kuzhinieri.
  6. Gjakovë: Asistent administrativ/kontabilitet, Elektro-instalime, Ndërmarrësi/vetëpunësim, Saldim, Administrim biznesi (Deçan), Floktari, Rrobaqepësi.
  7. Mitrovicë: Zdrukthëtari, TIK, Tekstil, Ndërtimtari, Saldim, Administrim biznesi/Vetëpunësim, Kuzhinë, TIK (Skenderaj).
  8. Doljane: Zdrukthëtari, ,Kuzhinë, Tekstil, Saldim, Administrim biznesi.

Regjistrimi i punëkërkuesve bëhet në dy mënyra: 1. Përmes regjistrimit në Zyrat e Punësimit, për të marrë shërbimet e punësimit sipas vendbanimit të tyre. Për të aplikuar për regjistrim, personi i interesuar me rastin e drejtimit tek këshilltari/ja për punësim, informohet me shërbimet e ofruara në Zyrën e Punësimit (këshillimet, ndërmjetësimet, trajnimet profesionale). Me rastin e regjistrimit, qytetari ofron informatat e nevojshëm si: mosha, arsimimi, aftësitë e ndryshme, përvoja, dëshirat e punës dhe motivimi i tij, etj. të kërkuara në bazën e të dhënave (SIMP), dhe kualifikohet për të përfituar nga trajnimet e ofruara nga QAP-at; si dhe 2. Përmes regjistrimit në sistemin e shërbimeve online, linku: https://aprk.rks-gov.net/Identity/Account/Login?ReturnUrl=%2Fjob%2FjobApplicationList, të Zyrës së Punësimit për të marrë shërbimet për ndërmjetësim në punësim, duke krijuar llogarinë e tij/saj personale dhe duke ndërtuar profilin në formë të CV-së.

Mënyrë e njëjtë aplikohet edhe kur kemi të bëjmë me kërkesën për trajnime nga QAP-ët. Personi i papunë, pasi të jetë regjistruar pranë Zyrave të Punësimit, i njëjti kërkon ndjekjen e një trajnimi të veçantë, ku në varësi të disponueshmërisë së trajnimeve, orientohet për ndjekjen e trajnimit. Në rast se kërkesa për aftësim dhe riaftësim profesional është më e madhe se oferta e kapaciteteve të QAP-ve, apo buxheti për ofertues të jashtëm, atëherë aplikanti vendoset në ‘listën e pritjes’ dhe ftohen menjëherë kur të jetë trajnimi i disponueshëm.

Pas përfundimit të trajnimit dhe shpalljes se vlerësimit përfundimtarë për aftësim dhe riaftësim profesional, pala e pakënaqur mund të paraqesë ankesë pranë QAP-it, në afatin prej pesë (5) ditësh. Përgjigjen në ankesën e paraqitur, në afatin prej tridhjetë (30) ditësh e jep Divizioni përkatës për çështje ligjore brenda Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës.

[1] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=8676

[2] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=8983

[3] https://cps.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/09/LIGJI_NR._05_L_-077___P%C3%8BR_REGJISTRIMIN_DHE_OFRIMIN_E_SH%C3%8BRBIMEVE_P%C3%8BR_T%C3%8B_PAPUN%C3%8BT_PUN%C3%8BK%C3%8BRKUESIT_DHE_PUN%C3%8BDH%C3%8BN%C3%8BSIT-SHQIP.pdf